Ishte nisur me miqtë e tij për të pirë një kafe në një nga lokalet në qendër të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë.
Edon Shileku, 21 vjeçar dhe student i aktrimit, bashkë me një shok dhe dy shoqe kishin zgjedhur lokalin “Traffic Gallery”, që gjendet në rrugën “Qamil Hoxha” në Prishtinë, por kur kishin shkuar aty, kamerieri jo vetëm që nuk ia kishte shërbyer kafenë por me urdhër të pronarit të lokalit edhe i kishte larguar nga aty, me arsyetimin se “nuk i shërbejnë personave të komunitetit LGBT”.
Edon Shileku që nuk e ka problem të flas për orientimin e tij seksual para kamerës, thotë të mos jetë ndjerë asnjëherë më keq se ditën kur e larguan nga lokali.
Ai në rrëfimin ekskluziv të dhënë për KosovaPress, ka shpjeguar ngjarjen e para një jave me dëshirën që ajo ngjarje të marrë jehonën e nevojshme që raste të tilla “diskriminuese”, të mos ndodhin më në Kosovë.
Duke shpjeguar tutje se si e kishte bërë të ndjehet e tërë situata.
Menjëherë pas rastit, një faqe edukative e kulturore në rrjetin social Facebook dhe Instagram, i quajtur “Dylberizmi”, e cila synon të e ngritë ngritë vetëdijen e qytetarëve, duke ofruar lajme, fakte historike dhe shkencore, personalitete, art etj mbi çështjet LGBTI+, ka reaguar ndaj rastit duke e paraqitur si rast diskriminimi.
KosovaPress menjëherë pas publikimit të komenteve në rrjetet sociale ku kishte filluar një aksion online kundër “Traffic Gallery” duke e paraqitur si vend homobofik, ka kontaktuar grupin për të kuptuar se pse kanë nisur një fushatë të tillë.
Në një përgjigje me shkrim, grupi ka treguar se kishin marrë informacione se gjatë javës së kaluar, dy djem që nuk ishin çift, megjithatë, kanë vizituar lokalin Traffic Gallery me qëllimin për të pirë një kafe.
Tutje ky grup thotë të ketë filluar menjëherë me veprime nëpër rrejte sociale për të bërë ngjarjen e zëshme, me shpresën që të ngritët vetëdijesimi në lidhje me raste të “tilla diskriminuese dhe të parandalohet trajtimi i pabarabartë i komunitetit LGBTI+”. Po ashtu grupi shpreson që Traffic Gallery të reflektojë mbi gabimin dhe të kërkojë falje për veprimin.
Ftesës së grupit iu kishin përgjigjur aktivistë dhe qytetarë që kanë filluar të shkruajnë komente si “MARRE” dhe “HOMOFOBA” në profilin e tyre duke nisur një fushatë online kundër homofobisë. Komente të cilat sipas Dylberizmit kanë filluar të fshihen nga Traffic Gallery.
Edon Shileku thotë se e Trafic Gallery do të mund të përjashtonte cilindo person që do të bënte probleme në lokal, por jo vetëm pse i takon një komuniteti apo tjetri.
Ekipi i KosovaPress ka vizituar lokalin “Traffic Gallery” me pronar Burim Berishën, të cilit i kërkoi një përgjigje në lidhje me rastin. Berisha nuk ka pranuar të flas para kamerës, megjithatë në një përgjigje me shkrim thotë të bëhet fjalë për një “keqkuptim”. Dhe, sipas tij, bëhet fjalë për tendencë për të ia dëmtuar lokalin atij, ani pse nuk ka mohuar se kanë larguar nga lokali Edonin me miqtë e tij.
“Kemi te bëjmë vetëm me një keqkuptim dhe nuk ka te bej as pak me komunitetin në fjalë, për shkak se “Traffic” veç njihet si kafe galeri mjaft e hapur për te gjithë, dhe si “target“ ka artistët dhe përkrahësit e tyre pa dallim. Traffic nuk ka bërë dallime asnjëherë në baza gjinore, fetare, komunitare, etj. Në këtë rast po bie qe ne jemi të dëmtuar nga persona të caktuar duke keqpërdorur faqet e mediave sociale të “Traffic”, që komentojne dhe përdorin fjalë e shprehje fyese ndaj “Traffic”.Komuniteti LGBTI kanë organizuar “ndejë” dhe ekspozitë në “Traffic”. Si përfundim “Traffic” nuk bënë pjesë në grupin e shkelësve por të përkrahësve të të drejtave të njeriut në përgjithësi”, ishte përgjigja e Berishës.
Në vitin 2013, Parlamenti miratoi projektligjin për krijimin e një grupi pune për komunitetin LGBT, ndërsa, më 17 maj 2014, politikanë në vend, Ambasadori Britanik i Kosovës, Ian Cliff, si edhe organizata lokale për komunitetin LGBT, QESH dhe CEL Kosovo organizuan marshin e parë për komunitetin LGBT në Prishtinë.
Parada e parë e krenarisë në Kosovë është zhvilluar në Prishtinë më 10 tetor 2017. Me qindra persona marshuan në rrugët e qytetit. Në aktivitet mori pjesë edhe presidenti Hashim Thaçi, si edhe Ambasadori Amerikan dhe ai Britanik në Kosovë.
Megjithatë përkundër legjislacionit të mirë, në praktikë ka vështirësi për të realizuar të drejtat në komunitetit. Stigma konsiderohet ende një pikë që duhet punuar. Por edhe ligjet kanë zbrazësi sa i përket ta zëmë personave trans-seksual apo që duhet ta ndërrojnë identitetin gjinor. Së fundmi Blert Morina, që ka aplikuar për ndërrim të emrit dhe të shënuesit të gjinisë në dokumentet e identifikimit, në mënyrë që ato të reflektojnë identitetin e tij gjinor, iu është mohuar kjo e drejtë duke bërë Blertin që të shkojë deri në Gjykatë Kushtetuese për rastin e tij.
Organizatat që mbrojnë të drejtat e komunitetit LGBTI+ kanë njoftuar se më 4 shtator do të mbajnë një tubim të qetë në shenjë protestë para Gjykatës Kushtetuese, për të kërkuar nga institucionet shtetërore t’i përfillin obligimet pozitive të shtetit të Kosovës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut duke u thirrur në nenin 53 të Kushtetutës së Kosovës.
Një ndër institucionet që mbron të drejtat e njeriut në Kosovë dhe trajton rastet e diskriminimit, është institucioni i avokatit të popullit.
Edona Hajrullahu, zëvendësavokate e popullit e që përfaqëson departamentin e diskriminim në një intervistë për KosovaPress ka shpjeguar se kuadri ligjor për mbrojtjen e të drejtave të këtij komunitetit LGBTI+ është mjaft i avancuar.
Hajrullahu po ashtu tha se nga perspektiva e Avokatit të Popullit, duhet theksuar se mandati i këtij institucioni vjen në shprehje atëherë kur një autoritet publik i Republikës së Kosovës, pra institucionet publike shkelin një të drejtë të garantuar të një individi. Që do të thotë se nëse policia nuk kryen hetimet e duhura në raste të shkeljeve, atëherë ndërhynë Avokati i Popullit, duke treguar tutje se në 2017 i kanë dërguar Gjykatës Themelore një mendim juridik në lidhje me homofobinë dhe transfobinë.
Këtë vit zyra e avokatit të popullit është e angazhuar edhe në rastin e mendimit juridik për Gjykatën Kushtetuese, ku bëhet fjalë për identitetin gjinor dhe ndërrimin e emrit të personit, domethënë nga një gjini në gjininë tjetër, pra bëhet fjalë për rastin e Blert Morinës, porse ky rast ende është në përgatitje e sipër dhe shumë shpejtë do i përcillet edhe Gjykatës Kushtetuese.
Lidhur me rastin që ka ndodhur në “Traffic Gallery”, Hajrullahu nuk ka dhënë vlerësim se a bëhet fjalë për diskriminim, porse ka thënë se nuk kanë pranuar asnjë ankesë porse në momentin që të bëhet publike do të reagojnë ex officio për rastin në fjalë dhe të bëjnë hetimet e nevojshme.
E zyra për Qeverisje të mirë në Qeverinë e Kosovës nuk ka dhënë asnjë deklaratë për KosovaPress në lidhje me atë se çfarë po bënë Qeveria për të avancuar pozitën e komunitetit LGBTI+ Në Kosovë.Halil Matoshi nga zyra për Informim ka thënë përmes një përgjigje të shkurtë përmes telefonit se” “Qeveria e Republikës së Kosovës nuk i specifikon grupet etnike e shoqërore, d.m.th i garanton liri, kushtetutshmëri, si dhe qasje të lirë si shtet të gjithë qytetarëve të saj pa dallim, pa asnjë dallim do të thotë të kenë një qasje gjithëpërfshirëse”.
Kujtojmë se kryeministri Ramush Haradinaj, ndërkaq nuk kishte marrë pjesë në paradën e fundit të krenarisë për nder të komunitetit LGBTI+ që organizohet çdo vjet në mbarë botën, e tani edhe në Prishtinë.
loading...